Një familje nga fshati Vërmicë i komunës së Malishevës, nuk e ka nisur mirë vitin 2020. Pak minuta pasi është bërë ndërrimi i motmoteve, kulmi i shtëpisë dhe një shtallë e bagëtive u është përfshirë nga flakët. Dyshohet se zjarri u shkaktua nga përdorimi i mjeteve piroteknike, raporton Gazeta Sinjali.
Përveç dëmeve materiale nuk ka persona të lënduar. Ndërsa, ekipi i zjarrëfikësve ka lokalizuar zjarrin në vendin e ngjarjes.
Këtë informacion për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe Lumni Graishta, drejtor i policisë rajonale në Gjakovë.
“Po është raportuar një informacion i tillë. Rasti ka ndodhur në Vërmicë të Malishevës rreth orës 00:20. Policia bashkë me zjarrëfikësit i janë përgjigjur rastit, sipas asaj që është vërejtur në vendin e ngjarjes, është dëmtuar një shtallë e bagëtive dhe një kulm i shtëpisë. Nuk ka pasur të lënduar, edhe zjarrëfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga mjetet piroteknike”, konfirmoi Graishta për Gazetën Sinjali. /Gazeta Sinjali/