image Familja nga Ferizaj në hall me 25-vjeçarin përdorues të narkotikëve, e rrah e më pas ia thyen telefonin motrës së tij

Siguri

Familja nga Ferizaj në hall me 25-vjeçarin përdorues të narkotikëve, e rrah e më pas ia thyen telefonin motrës së tij

news image

Përdorimi i substancave narkotike, konsumimi i tepërt i alkoolit e telashet financiare janë vetëm disa nga shkaqet që ndikojnë te qytetarët të cilët bëjnë veprime të dhunshme dhe të pakontrolluara ndaj familjarëve të tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një konflikt familjar ku janë përfshirë vëllai dhe motra ka ndodhur së fundi në rrugën ‘Safet Berisha’ në qytetin e Ferizajt.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar nëna e tyre, e cila ka deklaruar se gjatë kohës që po bisedonte me vajzën në telefon, ajo është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj.

Viktima dhe i dyshuari janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin. 28-vjeçarja ka deklaruar se vëllai i saj edhe më parë kishte probleme me ligjin dhe kishte përfunduar në burg disa herë për shkak të përdorimit të narkotikëve. Së fundi ajo ka thënë se 25-vjeçari e ka goditur atë dhe më pas ia ka thyer asaj telefonin personal.

Por i dyshuari ka mohuar t’ia ketë thyer telefonin, duke thënë se vetëm e ka goditur me shuplaka, pasi që sipas tij, ajo e ka fyer me fjalë të rënda.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orë. Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/