image Familja e Labinot Grudës thotë që e kanë ndërruar avokatin, mbrojtësi aktual nuk ia "liron" vendin

Drejtësi

Familja e Labinot Grudës thotë që e kanë ndërruar avokatin, mbrojtësi aktual nuk ia “liron” vendin

news image

Veton Rrecaj është paraqitur në media si avokat i Labinot Grudës, ish-zyrtarit të Thesarit, i cili po dyshohet se ka vjedhur mbi 2 milionë euro nga buxheti i shtetit, shkruan Gazeta Sinjali.

Por, duket se familja e të dyshuarit nuk po e pranon atë si avokat, duke ia larguar madje edhe autorizimin.

Për rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove, familja e Grudës ka autorizuar dy avokatë të tjerë, Selman Bogiqin dhe Tahir Rrecajn.

“Lidhur me autorizimet që ia ka dhënë familja e Labinot Grudës, ju njoftoj se unë Selman Bogiqi dhe Tahir Rrecaj jemi avokatë të të dyshuarit Labinot Gruda, ndërsa sa i përket avokatit që gjendet në studion tuaj atij i është revokuar autorizimi dhe për këtë është i njoftuar me sms nga vëllai i Labinot Grudës i cili e ka njoftuar se ai nuk është më avokat i vëllait të tij. Neve po na habit se si është e mundur që të paraqitet kur për këtë fakt është i njoftuar shumë mirë. Sot unë dhe kolegu im Tahir Rrecaj kemi pranuar dy vendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë të cilat avokati që gjendet aty nuk i ka – një urdhër ndalues  dhe urdhërese për sekuestrim të përkohshëm të gjësendeve”, ka thënë Bogiqi në Klan Kosova.

Mirëpo, këtë gjë po e kundërshton Veton Rrecaj, i cili tha se ai është autorizuar nga vetë Labinot Gruda që është në moshë madhore dhe revokimi i autorizimit të tij thotë mund të bëhet vetëm nga ai, e jo familja.

Megjithatë, ai e ka pranuar se familjarët e Grudës i kanë dërguar një mesazh, përmes të cilit e kanë njoftuar se ai nuk do ta përfaqësojë më Labinot Grudën.

“Nuk më është tërhequr autorizimi formalisht. Deri më sot, e di që jam avokat i tij, por juridikisht i njëjti mund t’i ketë deri në tre avokatë. Unë e kam autorizimin direkt prej klientit”.

“A është më i fuqishëm tërheqja e autorizimit nga familja, apo nga vetë i dyshuari në moshë madhore i cili më ka dhënë vetë autorizimin? Është fakt që një familjar më ka shkruar një sms ku më ka thënë se si familjarë e tërheqin autorizimin, por i jam përgjigjur të njëjtit se autorizimin ma tërheq vetëm klienti që është i moshës madhore.

Unë si avokat kam edhe obligime. Nuk mund të mos e përfaqësoj të njëjtin në vazhdim të procedurës derisa në mënyrë formale juridike të më ofrohet një revokim nga i njëjti. Unë nuk kam revokim të autorizimit nga Labinot Gruda. E kam vetëm një sms nga familjarët, që në bazë të praktikës është problem që të gjithë familjarët të pajtohen për një avokat”, ka thënë Rrecaj.

Bogiqi ka insistuar në vazhdimësi se Veton Rrecaj nuk e përfaqëson Labinot Grudën dhe se i njëjti nuk mund të japë asnjë deklaratë lidhur me këtë rast.

“Unë dhe Tahir Rrecaj jemi angazhuar si avokatë dhe mbi këtë bazë e kemi njoftuar edhe gjykatën. E kemi autorizimin që na e ka dhënë familja. Veton Rrecaj nuk është avokat i Labinot Grudës dhe na habit fakti se si e ka marrë guximin që të vijë në studio kur atij i është revokuar autorizimi dhe për këtë është i njoftuar. Ai nuk të drejtë që të japë asnjë deklaratë lidhur me rastin e Labinot Grudës”, ka thënë Bogiqi.

Ndërkaq, vëllai i Labinot Grudës tha se Veton Rrecaj është duke e përdorur këtë rast për famë, pasi që thotë se familja nuk e pranon si avokat të ish-zyrtarit të Thesarit të Shtetit./Gazeta Sinjali/