image Familja donte ta fejonte me dikë tjetër - E mitura në Deçan ikë nga shtëpia dhe gjen 'shpëtim' te ish i dashuri i saj

Siguri

Familja donte ta fejonte me dikë tjetër – E mitura në Deçan ikë nga shtëpia dhe gjen ‘shpëtim’ te ish i dashuri i saj

news image

Për t’i ikur fejesës së padëshiruar, një 16-vjeçare nga Deçani është detyruar t’i shkojë në shtëpi ish të dashurit të saj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se e mitura ka shkuar me taksi në shtëpinë e ish të dashurit të saj, që gjendet në fshatin Baballoq të Deçanit.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët e kanë intervistuar viktimën dhe ish të dashurin e saj, 21-vjeçar.

Sipas të njëjtave burime, viktima ka deklaruar se kishte ikur nga shtëpia për shkak se prindërit e saj donin ta fejonin me dikë tjetër. E njëjta ka refuzuar të kthehet të shtëpia e saj dhe pas intervistimit, është dërguar në strehimore.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, është liruar në procedurë të rregullt.

Kujtojmë që bashkëjetesa me personin nën moshë 16 vjeç është e ndaluar me ligj dhe është e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës.

Një person që e detyron një fëmijë (nën moshën 18-vjeçare) të martohet, mund të dënohet me burgim 2 deri në 10 vjet.

Kur kjo shkelje bëhet nga prindi ose kujdestari, atëherë dënimet me burgim sillen prej 5-10 vjet, ndërsa për martesë të detyruar të fëmijëve të moshës 14-16-vjeçare, dënimi me burgim është së paku 15 vjet.

/GazetaSinjali/