image Familja Berisha reagon ndaj ministrit Sveçla i cili tha se ish-zyrtari i Doganës ka bërë vetëvrasje

Drejtësi

Familja Berisha reagon ndaj ministrit Sveçla i cili tha se ish-zyrtari i Doganës ka bërë vetëvrasje

news image

Familja Berisha dhe avokati Flakron Sylejmani, kanë reaguar pas deklaratës të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, i cili i tha kryeministrit Albin Kurti se familjari i tyre, ish-zyrtar i Doganës së Kosovës, Luan Berisha, është vetëvrarë.

Familja Berisha dhe avokati e kanë cilësuar këtë deklaratë të ministrit Sveçla si të pamatur, të dëmshme dhe joprofesionale.

“Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre.”

“Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Përmes këtij reagimi publik, ata kanë kërkuar nga Prokurora e Shtetit që të reagojë ndaj një deklarate të tillë dhe “të mos lejojë që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetërorë apo cilitdo person tjetër”./Gazeta Sinjali/