Policia e Kosovës ka arrestuar një 56 vjeçar me inicialet B.O., dhe një 39 vjeçar me iniciale V.U., të dyshuar për veprat penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, sot në rrugën “Bekim Berisha – Abeja”, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të policisë, B.O., në një pikë kontrollimi u kishte prezantuar zyrtarëve policorë një vërtetim të një kompanie private, i cili ia garantonte lëvizjes e lirë në çdo kohë.
“Policia me dyshimin se ky vërtetim nuk është valid, e ka shoqëruar të dyshuarin në stacionin policor – Pejë për intervistim dhe në konsultim me Prokurorin e shtetit është iniciuar rasti ’mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë’”, thuhet në komunikatën e policisë së Pejës.
Fillimisht 56 vjeçari ishte liruar në procedurë të rregullt, por pas një hetimi të këtij rasti njësiti i hetimeve kishte zbuluar se i dyshuari B.O (1964) së bashku me të dyshuarin V.U.(1981) në marrëveshje në mes vete kanë bërë një vërtetim jovalid për lëvizje të lirë, për çka dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rremë’’.
Andaj, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë. B.O, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë’ dhe ‘’legalizimi i përmbajtjes së rremë’’, kurse i dyshuari dytë dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’legalizimi i përmbajtjes së rremë’’.
Rasti bëhet e ditur se do të procedohet në Prokurorinë përkatëse./Gazeta Sinjali/