image Falsifikoi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017, gjykata merr vendim për të akuzuarin

Drejtësi

Falsifikoi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017, gjykata merr vendim për të akuzuarin

news image

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, Albert Zukajn, për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën nga gjykatësi Sami Sharraxhiu, pasi ky i fundit aprovoi marrëveshjen për pranim të fajësisë të arritur në mes të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të akuzuarit Zukaj.

Fillimisht mbrojtësja e këtij të fundit, avokatja Filloreta Hoxha-Zymberaj, e kishte njoftuar gjykatën me parashtresë për lidhjen e marrëveshjes në mes prokurorisë dhe të mbrojturit të saj, për pranimin e fajësisë.

Sipas marrëveshjes, dënimi i të akuzuarit do të jetë gjashtë muaj burgim, me kusht që brenda një viti të mos kryej ndonjë vepër tjetër penale.

“Marrëveshja është lidhur konform dispozitave ligjore. Nuk kemi vërejtje as në marrëveshje e as në aktakuzë, andaj nuk na duhet kohë shtesë për ta shqyrtuar marrëveshjen, aktakuzën dhe veprën për të cilën i mbrojturi im akuzohet. E pranojmë të gjithën si të tillë”, deklaroi avokatja Hoxha-Zymberaj.

Tutje, prokurori Agron Galani deklaroi se mbetet pranë aktakuzës dhe marrëveshjes së lidhur me të akuzuarin e mbrojtësen e tij, duke i propozuar gjykatës që të njëjtën ta aprovojë si të tillë, pa dënim plotësues.

“Nuk kam bërë propozim për plotësimin e dënimit, për ndalimin e ushtrimit të funksionit ose shërbimin publik, sepse i pandehuri gjatë kryerjes së veprës penale nuk ka qenë i punësuar e duke kryer ndonjë funksion në shërbimin publik, por ka qenë i angazhuar ad-hoc për një periudhë të caktuar nga KQZ-ja”, tha prokurori Gashi.

Pas kësaj, gjykatësi Sharraxhiu aprovoi marrëveshjen në fjalë dhe shpalli aktgjykimin, sipas të cilit Zukaj ngarkohet edhe me pagesën e shpenzimeve procedurale në shumën 100 euro, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 26 mars 2021, Prokuroria Themelore e Pejës e ngarkon Albert Zukajn se më 11 qershor 2017, në fshatin Beleg të Deçanit, në objektin e shkollës fillore “Ardhmëria”, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendvotimin nr.0113C/01R, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Zgjedhor regjistron në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Aty thuhet se pas rinumërimit të votave në QNR dhe krahasimit të dhënave të cilat ishin krijuar në vendvotim, ka rezultuar ndryshimi i votave.

Sipas aktakuzës, me rastin e numërimit të votave nga ana e kryesuesit të KVV-së brenda një subjekti politik kanë hequr votat e disa kandidatëve dhe kanë shënuar disa kandidat tjerë, duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 109 vota, prej tyre 84 vota të shtuara dhe 25 vota të hequra.

Për këtë, sipas prokurorisë Zukaj ka kryer veprën penale “falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, kryesi i së cilës kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesë (5) vjet./Gazeta Sinjali/