image Fakulteti Filozofik: Homoseksualiteti nuk është çrregullim mendor

Kosovë

Fakulteti Filozofik: Homoseksualiteti nuk është çrregullim mendor

news image

Fakulteti i Filozofisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë ditës së sotme ka lëshuar një deklaratë mbi qëndrimin e tri departamenteve të këtij fakulteti në lidhje me diskutimet institucionale dhe publike lidhur me Draft Kodin Civil të Republikës së Kosovës.

Në deklaratë thuhet se Departamenti i Psikologjisë, Departamenti i Punës Sociale dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës deklarojnë se homoseksualiteti nuk është çrregullim mendor.

“Asociacioni Amerikan i Psikologëve e ka larguar homoseksualitetin nga lista e çrregullimeve mendore që nga viti 1973. Nga ana tjetër, provat shkencore dëshmojnë, se paragjykimet, stigma sociale, diskriminimi dhe dhuna e nxitur nga homofobia dhe transfobia ndikojnë në mirëqenien psikologjike, fizike, sociale, ekonomike të personave LGBTIQ+”, thuhet në deklaratë

Gjithashtu përmes deklaratës bëhet thirrje ndaj ligjvënësve dhe hartuesve të politikave nacionale të mbështesin zhvillimin e bazës ligjore dhe politikave publike, që janë në harmoni me të drejtat e njeriut.

Deklarata e plotë:

Duke iu referuar diskutimeve institucionale dhe publike lidhur me Draft Kodin Civil të Republikës së Kosovës

Departamenti i Psikologjisë, Departamenti i Punës Sociale dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, duke qenë të përkushtuar në zbatimin e standardeve ndërkombëtare për promovimin e shkencës dhe përdorimin e provave shkencore në mbështetje të informimit të drejtë, avancimit të njohurive dhe formimit të vlerave të mira qytetare deklarojmë se:

Homoseksualiteti nuk është çrregullim mendor. Asociacioni Amerikan i Psikologëve e ka larguar homoseksualitetin nga lista e çrregullimeve mendore që nga viti 1973 (Conger, 1975).

Nga ana tjetër, provat shkencore dëshmojnë, se paragjykimet, stigma sociale, diskriminimi dhe dhuna e nxitur nga homofobia dhe transfobia ndikojnë në mirëqenien psikologjike, fizike, sociale, ekonomike të personave LGBTIQ+ (shembull: Badgett, 2001, Cochran dhe të tjerët, 2003).

Inkurajojmë ligjvënësit dhe hartuesit e politikave nacionale të mbështesin zhvillimin e bazës ligjore dhe politikave publike, që janë në harmoni me të drejtat e njeriut, japin mundësi të barabarta dhe promovojnë ambient të sigurt për të gjithë qytetarët. Gjithashtu, shprehim gatishmërinë që të mbështesim procese të shqyrtimit të përshtatshmërisë së bazës ligjore dhe të politikave për parandalimin e urrejtjes, paragjykimeve dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+ dhe grupeve tjera të margjinalizuara në shoqëri.

/GazetaSinjali/