I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka bërë të qartë se çdo vendim mbi shpalljen non grata për funksionarë të lartë të shteteve të ndryshme, nuk është një vendim politik, por një përpjekje e përbashkët institucionale.
Zyrtari i lartë amerikan nënvizoi se nëse ish-kryeministri Berisha rikthehet në krye të Partisë Demokratike, kjo e fundit do të ketë pasoja.
Escobar tha se Sali Berisha është një person i shpallur non grata nga SHBA-ja dhe si i tillë funksionarët amerikanë nuk do të takohen me të.
Hetimet për Berishën, siç ka shpjeguar ai, janë një përpjekje e gjatë institucionale dhe, sipas tij, kjo përpjekje ka qenë e shtrirë edhe gjatë administratës së Donald Trumpit.
Mbi lidhjet e mundshme të George Soros me vendimin ndaj Berishës, të cilët ky i fundit akuzon dhe i pretendon, Escobar i cilësoi “të rrezikshme”.
“Nuk kanë asnjë bazë. Janë përpjekje institucionale për të ndalur korrupsionin. Ishte një përpjekje kolektive, jo individuale”, theksoi ai, shkruan Top Channel.
Escobar bëri me dije se sanksione të tjera do të ketë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar, ndër të tjera, se SHBA-ja do të jetë e gatshme të vendosë në dispozicion të sistemit të drejtësisë dosjet që ka mbi persona të ndryshëm.
Kështu, shteti i së drejtës mund të vendoset sa më parë në Shqipëri. Ai tha se shteti i së drejtës është themeli që i nevojitet demokracisë shqiptare. Escobar theksoi se SHBA-ja do të ushtrojë presion publik me sanksione, por që fjala e fundit do t’i takojë gjyqësorit në Shqipëri, që të tregojë veten.
Integrimi në Bashkimin Evropian ka qenë po ashtu një pikë, ku ai është ndalur. Funksionari i lartë amerikan i ka mëshuar faktit se drejtimi i vetëm për Tiranën është unioni. Megjithatë, parë edhe nga skepticizmi, këta të fundit duhet të nxitojnë në pranimin e shteteve ballkanike në bashkësi.
Teksa mbi bashkëpunimin me Washingtonin, ai pretendon se do të vijojnë në disa zëra. Më kryesorët ndër to, bashkëpunimet me karakter ushtarak, ekonomik, arsimor apo kulturor.