Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të premten se reagimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit ndaj tërmeteve të fuqishme në jug të vendit nuk ka qenë aq i shpejtë sa kishte dëshiruar qeveria.
“Edhe pse tash e kemi ekipin më të madh të kërkim-shpëtimit në botë tash për tash, është realitet që përpjekjet për kërkim nuk janë aq të shpejta sa ne dëshironim që ato të ishin”- tha presidenti turk, duke shtuar se numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi ka shkuar në 18 mijë e 991.
Më herët, Erdogani ka pranuar se reagimi fillestar ishte i ngadalshëm menjëherë pas tërmetit për shkak të motit të lig, rrugëve të dëmtuara dhe sipërfaqes së madhe që ishte prekur – dhjetë provinca të vendit, raporton agjencia “Reuters”.
Disa banorë në zonat më të prekura janë ankuar se nuk kishte punëtorë të emergjencave në terren në orët e para kritike pas tërmetit. Këtë akuzë e kanë shfrytëzuar politikanët e opozitës, duke i fajësuar autoritetet.
Presidenti turk tha se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë edhe me ekipe që kanë shkuar në Turqi nga e mbarë bota, pasi 94 shtete kanë ofruar ndihmë.
Duke folur në provincën Adiyaman, Erdogani tha se disa njerëz po i plaçkitin dyqanet dhe po i sulmojnë bizneset, duke shtuar se gjendja e jashtëzakonshme, që është shpallur në zonë, do t’ua lejojë autoriteteve shqiptimin e ndëshkimeve të nevojshme.
Pasi vizitoi disa njerëz të zhvendosur e të strehuar në tenda, presidenti turk tha se nëse njerëzit parapëlqejnë që të largohen nga qytetet e prekura, qeveria do t’ua paguajë qiranë për një vit.
“Ne do t’i rindërtojmë këto ndërtesa brenda një viti dhe do t’ua japim qytetarëve. Përderisa e bëjmë këtë, ne do ta paguajmë qiranë e qytetarëve që nuk duan të qëndrojnë në tenda”- tha ai.