image Erdogan: Nuk ishte e mundur të përgatitemi për një fatkeqësi të tillë

Evropë

Erdogan: Nuk ishte e mundur të përgatitemi për një fatkeqësi të tillë

news image

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka pranuar “mangësitë” në lidhje me reagimin e shtetit ndaj tërmetit masiv në fillim të kësaj jave, i cili deri më tani ka vrarë më shumë se 15 mijë njerëz.

Dy ditë pasi tërmeti goditi provincën Gaziantep të Turqisë pranë kufirit me Sirinë, ekipet e shpëtimit në kushte të vështira janë duke punuar që të tërheqin të mbijetuarit nga mbeturinat, shkruan CNN.

Ndërsa lindin pyetje mbi gatishmërinë e vendit, vlerësimet e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thanë se deri në 23 milionë njerëz mund të preken nga fatkeqësia.

Përgjigja zyrtare e Erdoganit ishte shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për tre muajt e ardhshëm në 10 provinca. Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive të vendit ka vendosur ekipe kërkimi dhe shpëtimi në zonat e goditura keq dhe ministri i shëndetësisë njoftoi se ishin ngritur spitale në terren.

Duke folur teksa vizitoi disa zona të fatkeqësive nga tërmeti të mërkurën, Erdogan u zotua të ndërmarrë “çdo hap të nevojshëm” dhe të bashkojë shtetin dhe kombin në mënyrë që “ne të mos lëmë asnjë qytetar pa mbikëqyrje”.

Më herët gjatë ditës, presidenti kishte pranuar shqetësimin e publikut për reagimin e qeverisë, duke pranuar se shteti fillimisht “kishte disa probleme” në aeroporte dhe rrugë, por duke këmbëngulur se situata tani ishte “nën kontroll”.

Erdogan gjithashtu i akuzoi “disa njerëzve të pandershëm” për “shpifje të rreme” ndaj reagimit të qeverisë ndaj tërmetit, duke thënë se momenti kërkonte unitet dhe se “në një periudhë të tillë, unë nuk mund të toleroj fushatat e egra negative për hir të interesave të thjeshta politike”.

Ai vazhdoi: “Pa dyshim që puna jonë nuk ishte e lehtë. Vështirësia e kushteve të motit shtoi përmasat dhe përhapjen e shkatërrimit të shkaktuar nga ky tërmet, i cili u ndje në një sipërfaqe prej 500 kilometrash në të cilën jetojnë afërsisht 13.5 milionë banorë. Pavarësisht kësaj, ne mobilizuam të gjitha burimet e shtetit dhe të kombit dhe i drejtuam në zonën e fatkeqësisë.”

“Sigurisht që ka mangësi. Kushtet janë të dukshme. Nuk është e mundur të përgatitemi për një fatkeqësi të tillë. Ne nuk do të lëmë asnjë nga qytetarët pa përkujdesje”.

/GazetaSinjali/