Këngëtarja e njohur shqiptare tanimë me famë ndërkombëtare, Era Istrefi, gjatë ditës së djeshme publikoi projektin e ri muzikor, “No Maybes”.
Pas publikimit të këtij projekti, artistja shqiptare ka vendosur t’u ‘rrëfehet’ fansave në lidhje me ‘efektet anësore’, që i ka fama ndërkombëtare, shkruan Gazeta Sinjali.
Era këtë e ka bërë përmes një shkrimi të publikuar në InstaStory, ku ka shkruar se nuk është e lehtë për të t’i publikojë projektet muzikore që i ka përfunduar para dy vjetëve.
“Për mua nuk është e lehtë, se tash jam n’tripa tjerë, e n’valë tjetër, e kam sene shumë më zjarr! Ama anihere, ky është efekti anësor i famës ndërkombëtare. Çdo e mirë e ka edhe një të keqe…edhe kjo e fundit mos m’keqkuptoni e du shumë”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Era më tej ka bërë të ditur se ka projekte të reja muzikore dhe mezi pret që t’i publikojë ato.
“Si gjithçka tjetër që e kam arritë n’jetë (faleminderit Zot), edhe këtë kam me arritë”, e ka përfunduar shkrimin artistja.
Era Istrefi që kur lansoi këngën “Bon Bon”, ka bashkëpunuar me producent dhe artistë të njohur me famë botërore.
“No Maybes”, në bashkëpunim me Arash dhe Ilkay Sencan që u publikua gjatë ditës së djeshme, ka marrë komente të shumta pozitive nga publiku./Gazeta Sinjali/