image Energjia e lirë në Kosovë me kosto të rëndë për shëndetin e popullsisë

Kosovë

Energjia e lirë në Kosovë me kosto të rëndë për shëndetin e popullsisë

news image

Kosova ka ndër çmimet më të ulëta të energjisë në Evropë. Por, aktivistët për mbrojtjen e mjedisit paralajmërojnë se kjo kosto është shumë më e lartë për shkak të kostos tek shëndeti publik.

Sipas tyre, në zonat ku funksionojnë termocentralet e qymyrit, jetëgjatësia e banorëve është me e shkurtër, ndërkohë që përballen me më shumë sëmundje kronike dhe malinje.

Skënder Smajli, 64-vjeç, kalon 15 orë në ditë me tub oksigjeni për shkak të astmës, që doktorët thonë se është pasojë e ndotjes ndaj të cilës është ekspozuar prej dekadash nga termocentrali me qymyr.

Smajli, i cili merr 13 lloje ilaçesh për të kuruar astmën, sëmundjen e Parkinsonit dhe sëmundjet e zemrës, jeton në fshatin Palaj, jashtë qytetit Obiliq, ku gjenden dy termocentrale qymyri në gjendje jo të mirë. Ai punoi atje dhe u ekspozua ndaj qymyrit ngjyrë kafe për 26 vite, deri në vitin 2001. Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se shumica e shokëve të tij kanë vdekur.

“Kishte shumë pluhur, zjarr dhe hi. Punoja tek kazani i nxehjes. Duhet të pastronim furrat ku digjej qymyri në temperatura të larta, me shumë tym dhe hi. Nuk e njihnim njëri-tjetrin ngaqë ishim të mbuluar me pluhur. Por, duhej të punonim për të ushqyer familjet, nuk kishte mënyrë tjetër”, thotë Smajli.

Me vetëm gjashtë centë për kilowat/orë, Kosova ka ndër çmimet më të ulëta të energjisë në Evropë, por ambientalistët paralajmërojnë se kostoja del shumë më e lartë nëse llogariten edhe shpenzimet e shëndetit publik.

Në një raport të 2019, Banka Botërore tha se ndotja e ajrit shkakton rreth 760 viktima çdo vit në Kosovë.

“Ndotja është jashtëzakonisht e madhe. Shihet ndotja e tokës, ujit dhe ajrit, e cila është e përhershme . Si pasojë e kësaj, komuna e Obiliqit ka diku 30% raste më shumë me sëmundje kronike se komunat e tjera të Kosovës. Kemi edhe 30% më shumë me sëmundje malinje se në pjesë të tjera të Kosovës, si pasojë e ndotjes së ambientit”, thotë doktor Haki Jashari, drejtor i klinikës në Obiliq.

Shumica e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështeten tek prodhimi i energjisë nga qymyri, që është identifikuar si ndër ndotësit kryesorë. Rajoni është i pasur me linjit, një burim i ulët energjie që ndryshe njihet edhe si qymyri ngjyrë kafe. Por ndërsa këto vende përpiqen të anëtarësohen në BE, do të duhet të ulin konsumin e qymyrit.

Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë, të vlerësuara në 12 – 14 miliardë tonë dhe prodhon mbi 90% të elektricitetit të saj në dy termocentralet në Obiliq. Komisioni Evropian i bëri thirrje këtë muaj Kosovës që të mos mbështetet më vetëm tek furnizimi i energjisë nga qymyri, i cili ka pasoja për shëndetin, raporton VOA.

“E ardhmja e thëngjillit është në tokë. Nuk është në shfrytëzim. Bota e ka parë që shfrytëzimi i thëngjillit nuk është ndonjë faktor i madh për zhvillimin ekonomik, dhe ekonomia nuk zhvillohet me thëngjill”, thotë aktivisti mjedisor Besfort Kosova, nga Fondacioni Balkan Green, që punon për energjinë e pastër.

Sipas të dhënave të fondacionit, banorët vendas jetojnë pesë vite më pak për shkak të ndotjes së ajrit./GazetaSinjali/