image Ende s’ka datë të saktë kur vjen kontingjenti i dytë i vaksinave antiCOVID, deri sot në Kosovë janë mbi 14 mijë raste aktive

Shëndetësi

Ende s’ka datë të saktë kur vjen kontingjenti i dytë i vaksinave antiCOVID, deri sot në Kosovë janë mbi 14 mijë raste aktive

news image

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot tha se vaksina e AstraZenecës në Kosovë, është e sigurt dhe se nuk ka pasur asnjë efekt anësor deri tani, shkruan Gazeta Sinjali.

Derisa në Kosovë tashmë ka përfunduar procesi i vaksinimit të personelit shëndetësor, ai ka filluar te personat mbi moshën 85-vjeçare.

Por ajo që ende nuk dihet, është se kur do të vijë kontingjenti i dytë i vaksinave. Ministri Vitia, sot i dha disa muaj se kur mund të vijnë, porse nuk pati një datë të saktë.  

“Kontingjenti i dytë i këtij grupi pritet të vijë nga fundi i prillit ose fillimi i majit. Këto janë fjalët që kemi nga mekanizmi COVAX por gjithsesi koha e vaksinimit për dozën e dytë është qershori”, u shpreh ai.

Prej marsit të vitit të kaluar e deri sot, numri total i rasteve pozitive është 96.212 raste nga 462.166 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.960 raste të vdekjes.

Deri më sot, numri i të shëruarve është 80.132 raste, kurse numri i rasteve aktive është 14.120.  /Gazeta Sinjali/