Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.
Ky komision ka për qëllim të hulumtojë, grumbullojë dhe administrojë të gjitha informatat dhe dëshmitë e nevojshme nga arkivat publike dhe jopublike si dhe nga të gjitha burimet e tjera të besueshme të informacionit zyrtar.
Ndërkaq, komisioni obligohet të hartojë raporte për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të njoftojë edhe Zyrën e Kryeministrit.
Komisioni përbëhet nga 14 anëtarë të cilët janë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë.