Jo më shumë se një vit më parë, shumë artistë të estradës shqiptare filluan që t’i bashkoheshin partive politike.
Kësaj rruge duket se ka dashur t’i hyjë edhe këngëtarja nga Maqedonia e Veriut, Elita Ziberi, shkruan Gazeta Sinjali.
Emri i këngëtares qarkulloi në disa mediume si kandidate e mundshme e Bashkimit Demokratik për Integrim për deputete në zonën 6, por sipas saj këtë ofertë nuk e ka pranuar pasiqë nuk di të merret me politikë.
Përmes një interviste ajo i ka dhënë fund të gjitha këtyre aludimeve, duke theksuar se vendi i saj është në industrinë e muzikës.
“As unë nuk kam pasur informata për këto, më vinte interesant kur lexoja diçka të tillë. Realisht, unë e kam vendin në muzikë, nuk e kam në politikë. Kam qenë e përzgjedhur nga ajo parti që të kandidohem, i falemnderoj shumë, por unë e kam vendin në muzikë, në qoftë se ju nevojitet diçka në fushën e muzikës, unë aty jam. Mirëpo, në politikë nuk e kam vendin sepse nuk di të merrem me politikë” , ka thënë Ziberi.
Ndryshe, zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut janë shpallur për me datë 12 prill dhe aktualisht të gjitha partitë kanë filluar kalkulimet në lidhje me kandidatët e tyre për deputet në zonat në të cilat ata do të kandidohen./Gazeta Sinjali/