image Ekspertja e OBSH-së tërhiqet nga deklarata për të infektuarit pa simptoma

Botë

Ekspertja e OBSH-së tërhiqet nga deklarata për të infektuarit pa simptoma

news image

Deklarata e OBSH-së se personat asimptomatikë rrallë e përhapin koronavirusin ka ngritur vetulla anekënd globit, duke shkaktuar jo pak konfuzion.  

Konstatimi bie në kundërshtim me udhëzimet e organizatave të shëndetit publik, të cilat thonë se 1/3 e të infektuarve mund të jenë pa simptoma dhe se gati gjysma e transmetimeve ndodhin para se personat e prekur të sëmuren.

Në një sesion pyetje-përgjigjesh në rrjetet sociale, OBSH u përpoq të shuante debatet. Ekspertja Maria Van Kerkhove, e njëjta qe bëri bëri pohimin se asimptomatikët e transmetojnë rrallë virusin, sqaroi për komentuesit në rrjetet sociale se kjo çështje shoqërohej me shumë te panjohura.

“Pjesa më e madhe e transmetimeve ndodh përmes spërklave të infektuara nga personat që kanë simptoma të virusit. Por ne dimë se disa persona të cilët janë asimptomatikë, mund ta transmetojnë virusin.  Por ajo që duhet të kuptojmë më mirë është se sa persona në popullsi nuk kanë simptoma dhe pastaj sa prej tyre ua transmetojnë virusin të tjerëve”, tha Maria Van Kerkhove.

Van Kerkhove sqaroi se pohimi i një dite më parë, mbështetej në dy ose tre studime të vendeve të ndryshme, të cilat kanë gjurmuar rastet pa simptoma dhe kontaktet e tyre.  Infektologia tha se i ishte përgjigjur një pyetjeje në konferencën për shtyp dhe se nuk kishte shprehur një qëndrim të OBSH. /Gazeta Sinjali/