Ukraina po e “poshtëron” Rusinë në fushën e betejës, ka thënë të premten një ekspert ushtarak në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.
“Rusët po bëjnë pothuajse çdo gabim taktik që është i mundur të bëhet”, ka thënë për BBC-në, profesori Michael Clarke, ish-drejtor i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.
“Trupat ruse duken si forca që ishin plotësisht të papërgatitura, që nuk kishin menduar se si mund të dukej një fushatë e madhe. Ukrainasit po pengojnë përparimin rus në të gjitha zonat dhe madje po kryejnë kundërsulme mjaft efektive tani. Rusët po humbasin shumë pajisje dhe trupa”, ka thënë Clarke.
Sipas tij, Ukraina ka një sistem komandimi dhe kontrolli në fushën e betejës, të cilin ai e quajti “standard i NATO-s”, i ndërtuar me ndihmën e vendeve të NATO-s, që nga viti 2014.
Clarke ka shtuar se sulmi në një fabrikë të mirëmbajtjes së avionëve në Lviv mëngjesin e së premtes e bën të qartë se rusët po shkojnë drejt infrastrukturës që po mban në ajër avionët ukrainas.
“Goditja e qytetit perëndimor vetëm 70 km nga kufiri polak është gjithashtu “një përpjekje për të frikësuar perëndimin që të mos ndihmojë ukrainasit”, ka thënë Clarke.