image Ekskluzive: Zyrtari policor pjesë e ahengut me të shtëna me armë në Prishtinë, suspendohet për mosdenoncim të rastit në Polici

Siguri

Ekskluzive: Zyrtari policor pjesë e ahengut me të shtëna me armë në Prishtinë, suspendohet për mosdenoncim të rastit në Polici

news image

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve, shkruan Gazeta Sinjali.

E shtëna me armë përbën vepër penale dhe secili qytetar ka për detyrim ta raportojë në Polici. Ky detyrim është obligativ sidomos për zyrtarët policorë, të cilët pavarësisht kohës apo vendit, kanë autorizime policore 24 orë.

Mirëpo, një detyrim i tillë rezulton se është shpërfillur nga një zyrtar policor (emër i njohur për redaksinë), mbrëmë në Prishtinë, i cili mori pjesë në një aheng ku pati të shtëna me armë dhe si pasojë e mosdenoncimit të rastit është suspenduar, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Rasti u zbulua përmes disa pamjeve në të cilat shihej se në një aheng në fshatin Hajkobillë në Prishtinë ka të shtëna me armë. Kjo bëri që Policia të aktivizohej menjëherë, me ç’rast intervenoi në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin Policor.

Pasi njësitë policore arritën në lokacionin ku po mbahej ahengu, u vërtetua se pjesëmarrës ishte edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit nisi kontrollimi i shtëpisë ku u organizua ahengu, me ç’rast u gjetën rreth 130 fishekë të kallashnikovit.

Zyrtari policor është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërkohë ndaj të dyshuarit, pronarit të shtëpisë është iniciuar rast për posedim të paautorizuar të armëve.

/GazetaSinjali/