Një mosmarrëveshje në komunikacion përfundoi me plagosje sot në mesditë, në qytetin e Prizrenit. Dy persona u konfrontuan në trafik, në rrugën “Xhemil Fluku”, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri. Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit dhe viktimës të këtij rasti.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që plagosi një person është Lekë Veseli.
Lekë Veseli dyshohet se qëlloi me armë zjarri Bekim Gashin, duke e plagosur në këmbë.
Rasti ndodhi rreth orës 14:30, ku në vendin e ngjarjes më pas doli edhe Policia e Kosovës, me ç’rast sekuestroi edhe armën e cila dyshohet se u përdor nga i dyshuari.
Në raportin zyrtar të Policisë thuhet se pas arrestimit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Ndërsa sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e viktimës Bekim Gashi është e mirë, dhe i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/