image Ekskluzive | Tentuan ta fusin marihuanën brenda Burgut të Dubravës – droga u zbulua në furgonin e ushqimit

Sinjalizime

Ekskluzive | Tentuan ta fusin marihuanën brenda Burgut të Dubravës – droga u zbulua në furgonin e ushqimit

news image

Një tentativë për futjen e narkotikëve brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës është parandaluar nga stafi korrektues dhe hetuesit antidrogë, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është zbuluar më 21 maj 2026 rreth orës 15:30, pasi autoritetet korrektuese kishin pranuar informata se në furgonin që transporton ushqim për të burgosurit mund të ishte fshehur substancë narkotike.

Pas organizimit të bastisjes, zyrtarët korrektues kanë kontrolluar automjetin dhe në pjesën e derës së pasme kanë zbuluar një qese të zezë të mbështjellë në formë cilindrike.

Brenda saj, sipas burimeve, ndodheshin dy paketime të tjera me substancë të dyshuar marihuanë.

Sasia e sekuestruar ka rezultuar me peshë bruto rreth 56 gramë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, të cilët kanë marrë në posedim provat materiale dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë.

Sinjali mëson se deri më tani nuk ka persona të dyshuar zyrtarisht për rastin.

Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe drejtuesi i furgonit, i cili njëkohësisht punon si kuzhinier në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Pejë, rasti është iniciuar për “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga DHTN-Pejë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/