Gazeta Sinjali nga burimet në Prokurorinë Themelore në Prizren ka mësuar emrat e të dyshuarve për rastin e rrëmbimit në Prizren.
Abdulah Morina dhe Yusuf Morina janë dy shtetasit kosovarë të nacionalitetit turk, të cilët dyshohen se javën e kaluar, kishin rrëmbyer shtetasin e Turqisë, Recep Atsan në Prizren, merr vesh Gazeta Sinjali nga burimet në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Dy vëllezërit, njëri i moshës 32 vjeçare dhe tjetri 28 vjeç, dyshohet se e kishin rrëmbyer shtetasin e Turqisë në mbrëmjen e 17 shtatorit dhe e kishin dërguar atë në një shtëpi, në vend të panjohur duke e mbajtur të izoluar.
Siç merr vesh Gazeta Sinjali, viktima 28 vjeçar, ka deklaruar në Polici së derisa kishte qenë duke shëtitur me Abdulah Morinën në Parkun e Qytetit në Prizren janë takuar me disa shokë të këtij të fundit me të cilët kanë vazhduar në një drejtim të panjohur ku janë takuar me disa persona të tjerë.
Ai ka pohuar se se më pas është dërguar në një shtëpi në një lokacion të panjohur dhe është mbajtur kundër dëshirës së tij, shkruan Gazeta Sinjali nga burimet në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Rrëmbyesit me këtë rast e kishin mbajtur viktimën të izoluar disa ditë dhe i kishin shkaktuar lëndime në kokë.
Shtetasi i Turqisë kishte arritur që ta lajmëronte Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe më pas e ka paraqitur rastin në stacionin policor në Mamushë ndërsa nga aty është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal në Prizren.
I cilësuar fillimisht si person i zhdukur, pas hetimeve të realizuara në vazhdimësi nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe bazuar në prova të reja të siguruara, rasti është rikualifikuar si rrëmbim.
Pas konsultimit me prokurorin, policia ka bastisur shtëpinë e vëllezërve Morina dhe me këtë rast ka sekuestruar veturën Pick Up të përdorur nga i dyshuari Abdulah Morina për ta dërguar viktimën në parkun e qytetit të Prizrenit dhe përgjatë lëvizjeve tjera gjatë kohës së rrëmbimit, merr vesh Gazeta Sinjali.
Si prova tjera materiale, forcat e rendit kanë konfiskuar edhe disa USB, telefonin e të dyshuarit Yusuf Morina dhe një DVR nga kamerat e sigurisë tek shtepia e tyre.
Dy të dyshuarve për rrëmbim i është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë ndërsa viktima ka mbetur nën përkujdesje të personelit të konsullatës turke në Prizren. /Gazeta Sinjali/