Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për arrestimin e një personi në fshatin Grejkoc të Suharekës, pasi i njëjti u kap me sasi të madhe të drogës. I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij pritet të merren edhe veprime tjera ligjore.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është 46-vjeçari, Lulzim Reshani.
Reshani po lëvizte me veturën e tij në rrugën e fshatit Grejkoc dhe me të parë Policinë fillimisht ka tentuar që të ikë, por i njëjti është arritur që të arrestohet dhe t’i nënshtrohet kontrollit nga zyrtarët policorë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit trupor te 46-vjeçari kanë gjetur një karikator dhe substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Ai është arrestuar menjëherë, ndërkohë që me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit në veturën dhe pronat e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar rreth 1.5 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, mbi 2 kilogramë kokainë, municion, peshore, qese najloni që shërben për mbështjelljen e narkotikëve, para të gatshme, veturë, telefona e gjësende tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale lidhur me rastin.
Reshani do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.