image Ekskluzive: Ky është i dyshuari që iu gjetën 5 armë e mbi 500 fishekë në shtëpinë e tij në Gjylekar të Vitisë

Siguri

Ekskluzive: Ky është i dyshuari që iu gjetën 5 armë e mbi 500 fishekë në shtëpinë e tij në Gjylekar të Vitisë

news image

Një aksion i Policisë në fshatin Gjylekar të Vitisë i zhvilluar gjatë ditës së djeshme rezultoi me arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e pesë armëve e mbi 500 fishekëve. Arrestimi i të dyshuarit erdhi pasi Policia kreu bastisje në shtëpinë e tij pasi i njëjti dyshohej për kanosje, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Hasan Avdiu, 55-vjeçar, i cili ra në prangat e Policisë pas denoncimit të fqinjit të tij për një konflikt në lidhje me pronën.

Në shtëpinë e Avdiut janë gjetur një pushkë gjuetie me 25 fishekë, një pushkë Karabin me 156 fishekë, një revole me dy karikatorë dhe shtatë fishekë, një revole me shurdhues me 203 fishekë, një revolver me shurdhues me 81 fishekë, si dhe 37 fishekë dhe një tytë e revoles, për të cilat nuk posedonte leje nga organet kompetente.

Ai është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti për veprën ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Me urdhër të prokurorit, 55-vjeçari është ndaluar për 48 orë.

Kujtojmë se posedimi i armëve ilegale është bërë dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi Policia vazhdimisht has në persona të cilët mbajnë armë zjarri e të ftohta, duke u cenuar kështu siguria publike.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/