Vajzat dhe gratë përveç që janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, shumë herë edhe kërcënohen, shantazhohen e detyrohen të veprojnë kundër vullnetit të tyre. Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të tillë dhe mjaft të rëndë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në rajonin e Prishtinës dhe është denoncuar nga një 40-vjeçare.
Viktima po dyshohet se është shantazhuar nga një përson, i cili ia ka kërkuar 2 mijë euro duke e kushtëzuar me mospublikimin e disa foto/videove që i kishte bërë pa dijeninë e saj.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Liridon Rexhepi – i cili është kapur në flagrancë.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari dhe viktima fillimisht kishin qëndruar së bashku në një motel dhe gjatë kësaj kohe i njëjti po dyshohet se pa dijeninë e saj e kishte filmuar.
Këto pamje që i dyshuari i posedon, i ka shfrytëzuar për ta kanosur viktimën, duke ia kërkuar 2 mijë euro për mospublikimin e tyre.
Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe e frikësuar, 40-vjeçarja ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë dhe si rezultat i nisjes së hetimeve, njësitë policore kanë arritur ta lokalizojnë vendndodhjen e të dyshuarit.
I njëjti është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat për të cilat dyshohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të ndërmerren veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë.