image Ekskluzive | Ky është i dyshuari në rastin e ambulancës ilegale në Obiliq – dyshohet se ofronte shërbime mjekësore pa licencë

Ekskluzive

Ekskluzive | Ky është i dyshuari në rastin e ambulancës ilegale në Obiliq – dyshohet se ofronte shërbime mjekësore pa licencë

news image

Slavisa Radosavleviq, është njëri nga personat që po hetohet në rastin e zbulimit të një ambulance ilegale brenda një objekti të braktisur në Obiliq, raporton Gazeta Sinjali.

Siç ka raportuar më herët Sinjali, rasti u zbulua gjatë pastrimit të ish-objektit të Shkollës së Mesme Teknike në rrugën “30 Marsi”, ku zyrtarët komunalë hasën në një hapësirë të improvizuar si ambulancë.

Burimet bëjnë të ditur se në objekt janë gjetur medikamente të ndryshme, evidenca të pacientëve dhe dokumentacion që dyshohet se lidhet me ofrimin e shërbimeve mjekësore pa autorizim institucional.

Gjatë ekzaminimit nga inspektorët farmaceutikë dhe shëndetësorë, është konstatuar se aktiviteti zhvillohej pa licencë të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa një pjesë e medikamenteve të gjetura rezultonin me afat të skaduar.

Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia ka siguruar prezencën e Slavisa Radosavleviqit dhe Aleksanda Stojanoviqit, të cilët janë intervistuar lidhur me dyshimet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Me urdhër të inspektoratit kompetent, objekti është vulosur dhe është ndaluar ushtrimi i mëtejmë i aktivitetit.

Prokuroria ka iniciuar hetime për veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti vazhdon të hetohet.

Pamje: Gazeta Insajderi

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/