Është zbuluar një ambulancë e dyshuar ilegale brenda një objekti të braktisur në Obiliq, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti u zbulua gjatë pastrimit të ish-objektit të Shkollës së Mesme Teknike në rrugën “30 Marsi”, ku zyrtarët komunalë hasën në një hapësirë të improvizuar si ambulancë.
Burimet bëjnë të ditur se në objekt janë gjetur medikamente të ndryshme, evidenca të pacientëve dhe dokumentacion që dyshohet se lidhet me ofrimin e shërbimeve mjekësore pa autorizim institucional.
Gjatë ekzaminimit nga inspektorët farmaceutikë dhe shëndetësorë, është konstatuar se aktiviteti zhvillohej pa licencë të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa një pjesë e medikamenteve të gjetura rezultonin me afat të skaduar.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia ka siguruar prezencën e S.R., dhe A.S., të cilët janë intervistuar lidhur me dyshimet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.
Me urdhër të inspektoratit kompetent, objekti është vulosur dhe është ndaluar ushtrimi i mëtejmë i aktivitetit.
Prokuroria ka iniciuar hetime për veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti vazhdon të hetohet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!