image Ekskluzive: Ky është amaneti i fundit i 19 vjeçares që ia mori jetën vetes në Kamenicë

Ekskluzive

Ekskluzive: Ky është amaneti i fundit i 19 vjeçares që ia mori jetën vetes në Kamenicë

news image

Një ngjarje e rëndë që ndodhi para pak ditësh në fshatin Poliçkë, tronditi jo vetëm Kamenicën e Gjilanin me rrethinë, por gjithë vendin.

Lajmi se 19 vjeçarja, Arbesa Murseli Lipovica u gjet e varur në degën e një lisi në lagjen “Likovica” të këtij fshati, përveç se u cilësua si tragjedi, për shumëkënd ngriti edhe pikëpyetje lidhur me rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarje tragjike, shkruan Gazeta Sinjali.

Dilemat dhe pikëpyetjet u shtuan edhe më shumë, sidomos për familjen e viktimës dhe hetuesit policorë, të cilët me rastin e ekzaminimit të viktimës, në trupin e saj përveç telefonit, gjetën edhe një letër ngjyrë të verdhë, në të cilën 19-vjeçarja kishte lënë amanetin e fundit.

Burime të afërta me familjen e viktimës, kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se hetuesit policorë letrën e gjetën në xhepin e majtë të veshjeve sportive të viktimës, me një përmbajtje që ngritë dyshimet se vetëvrasja e saj mund të ketë qenë si rezultat i jetës së patolerueshme bashkëshortore.

Në këtë letër shkruhet:

“Falemiderit shum gjithve ama burrit tem kurrë hallall mos i koftë”.

Por, si ndodhi ngjarja?

19 vjeçarja jetonte me burrin, djalin 3 vjeçar dhe familjen e burrit në Gjilan, por në ditën kritike, e gjithë familja kishin shkuar në një shtëpi vikendi në fshatin Poliçkë, ku dyshohet se Arbesa vendosi t’i jepte fund jetës së saj.

E ndjera sipas burimeve të afërta me familjen e saj, pa u vërejtur ishte larguar nga shtëpia në orën 16:00, kurse u gjet e varur në degën e një lisi në një distancë rreth 300 metra larg shtëpisë në orën 16:50.

Trupi i pajetë i të ndjerës me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërkaq kanë nisur hetimet në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, shkruan Gazeta Sinjali.

Varrimi i të ndjerës është bërë në varrezat e Gjilanit.

/GazetaSinjali/