Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta të shtetit shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Për një rast të tillë tashmë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një rasti ku viktimë është kryetari i një komune, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të parin e komunës së Lipjanit, kryetarin Imri Ahmeti, i cili është kërcënuar nga një mërgimtar nga Zvicra, të premten në mesditë. Por këtë herë kanosja nga personi i dyshuar (emër i njohur për redaksinë) nuk erdhi në mënyrë direkte.
Sinjali mëson se sipas informacioneve të para, i dyshuari e kishte kanosur seriozisht Imri Ahmetin përmes djalit të tij, të cilit ia kishte lënë një mesazh në rrjete sociale, që kishte të bënte me një projekt të komunës së Lipjanit.
Të njëjtat burime thonë se i dyshuari e ka kërcënuar kryetarin e Lipjanit për shkak të një projekti të komunës që lidhej me shpronësimet, e që siç duket e ka mllefosur të dyshuarin, i cili ka vendosur që t’i çojë selam Ahmetit përmes djalit të tij.
Mesazhi që pranoi i biri i kryetarit Ahmeti i bëri ata që t’ia mësyjnë Policisë për ta raportuar rastin, ku edhe kanë dhënë deklaratat e tyre para hetusve policorë për kërcënimin që kanë pranuar.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Kanosja”, derisa të sigurohet prezenca e të dyshuarit, i cili ndodhet në Zvicër.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.