image EKSKLUZIVE | Këta janë personat e përfshirë në përleshjen që përfundoi me një 18 vjeçar  të vrarë në Gjakovë

Sinjalizime

EKSKLUZIVE | Këta janë personat e përfshirë në përleshjen që përfundoi me një 18 vjeçar  të vrarë në Gjakovë

news image

Detaje të reja janë mësuar lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në lagjen Kolonia në Gjakovë, ku një i ri humbi jetën pas një konflikti të përgjakshëm mes dy grupeve familjare.

Sipas informacioneve të siguruara nga burime të besueshme të afërta me hetimin, në ngjarje janë përfshirë Ilir Sofra, Floreta Hadri, L.K., Sehar Gashi, Senad Gashi dhe Egzon Gashi.

Rasti është raportuar rreth orës 21:30 në rrugën “Ali Ibra”, pasi Policia e Kosovës kishte pranuar informacion për një rrahje në progres. Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se dy grupe familjare ishin përfshirë në një përleshje fizike.

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, gjatë konfliktit dyshohet se Ilir Sofra ka përdorur një mjet të mprehtë dhe ka goditur viktimën B.G., i lindur në vitin 2008.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka humbur jetën.

Po sipas raportit policor, një person tjetër i përfshirë në rast dhe vetë Ilir Sofra kanë pësuar lëndime dhe janë duke marrë trajtim mjekësor.

Mjeti i mprehtë që dyshohet se është përdorur në ngjarje ende nuk është gjetur.

Me urdhër të prokurorit për krime të rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/