Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës në fshatin Ruboc të Kamenicës, ku një burrë 84-vjeçar humbi jetën në rrethana tragjike gjatë punës me traktor.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se fillimisht autoritetet u njoftuan se një person ishte rrokullisur me traktor në një zonë fushore-malore të fshatit.
Në vendngjarje dolën menjëherë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili konstatoi vdekjen e viktimës në vend.
Bëhet fjalë për Miroslav Nikolic 84-vjeç.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, viktima ishte gjetur i shtrirë nën peshën e një traktori të llojit Ferguson 39, i cili ishte rrokullisur pjesërisht mbi trupin e tij.
Në vendngjarje kanë dalë Prokurori kujdestar, hetuesit rajonalë dhe ekspertët e Krim-Teknikës, të cilët kanë kryer këqyrjen e detajuar të vendit ku ndodhi tragjedia.
Më vonë ka arritur edhe ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili ka bërë ekzaminimin fillestar të trupit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi dhe ekspertizë mjeko-ligjore.
Sipas gjetjeve të deritanishme, nuk ka indicie që në rast të ketë pasur përfshirje të ndonjë personi tjetër, megjithatë hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes.
Traktori u gjet i rrokullisur në terrenin malor, ndërsa 84-vjeçari mbeti poshtë tij pa mundur të shpëtojë. Përgjigjen përfundimtare për shkaqet e vdekjes pritet ta japë autopsia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!