Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Për një rast të tillë, kanë rënë në pranga dje edhe dy person në Komunën e Prizrenit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë:
- Enis Pula 29-vjeçar
- Qerim Binaj 62-vjeçar
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë ditës së djeshme teksa njësitet policore po patrullonin në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren, kanë ndaluar makinën e të dyshuarve ku dhe kanë gjetur dhe sekuestruar mbi 10 doza substanca narkotike të llojit marihuanë, disa doza kokainë e hashash.
Dy të dyshuarit janë vënë në pranga dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje edhe në shtëpitë e tyre.
Gjatë kontrollit në lokacionet e të dyshuarve, janë gjetur armë zjarri, municion e gjësende tjera të kundërligjshme, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale të cilët kanë dhënë detaje për gjësendet e sekuestruara.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit të veturës dhe shtëpive të tyre janë gjetur dhe konfiskuar 7.66 gram substancë narkotike e llojit kokainë, 9.46 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, 26.19 gram substancë narkotike hashash, një pushkë gjysmë automatike, dy pistoleta, një palë dylbi, dy shufra, një sprej, një antiplumb, një karikator, një telefon mobil dhe 346 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.