Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës dje në rrugën Pejë – Deçan, pasi të njëjtit janë kapur me substanca të dyshuara narkotike të llojit kokainë e heroinë dhe me municion. Të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Burim Kuqi 49-vjeçar dhe Nevzat Dinaj 47-vjeçar.
Kuqi dhe Dinaj janë arrestuar si rezultat i hetimit të një rasti të mëhershëm ku janë aplikuar masat e fshehta, me ç’rast zyrtarët policorë kanë ndalur për kontroll veturën me të cilën ata po udhëtonin.
Dinaj i cili po drejtonte veturën, i është nënshtruar kontrollit trupor ku më pas Policia ka gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë dhe dy telefona celularë.
Dinaj dhe Kuqi janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve.
Gjatë kontrollit, në shtëpinë e Dinajt janë gjetur mbi 400 gramë të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë. Po ashtu edhe te Kuqi është gjetur sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit kokainë, 29 fishekë dhe një telefon celular.
Sipas Policisë, në tërësi janë konfiskuar:
• Kokainë në peshë 234.3 gram,
• Heroinë në peshë 412.6 gram,
• Njëzet e nëntë (29) fishek kal.9mm, si dhe
• Tre (3) telefona mobil.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.