Një person ka përfunduar në ndalim policor, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë vjedhur qindra litra naftë nga një kamion në Fushë Kosovë.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se rasti ishte raportuar më 31 maj 2026 në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, ku ankuesi kishte njoftuar se persona të panjohur kishin vjedhur rreth 200 litra naftë nga rezervuari i kamionit të tij.
Sipas dëshmitarit, vlera e dëmit të shkaktuar arrin në rreth 300 euro.
Pas pranimit të informacionit, Njësia e Hetimeve në Fushë Kosovë ka zhvilluar veprime intensive operative dhe hetimore, duke siguruar dëshmi materiale dhe pamje nga kamerat e sigurisë.
Si rezultat i analizimit të video-incizimeve, hetuesit kanë arritur të identifikojnë njërin prej të dyshuarve, Vehbi Ajvazin, i cili më pas është lokalizuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar se ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale për të cilën po hetohej.
Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkohë, personi tjetër i dyshuar, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në vjedhje së bashku me Ajvazin, nuk është arritur ende të lokalizohet dhe është futur në kërkim policor.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!