Një rast i rëndë që dyshohet se lidhet me fajdenë dhe bixhozin ilegal ka tronditur Fushë Kosovën, pasi një i ri dyshohet se tentoi t’i japë fund jetës për shkak të presionit të vazhdueshëm për borxhe, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se gjithçka nisi kur në Policinë e Fushë Kosovës u paraqit babai i viktimës, B. M, i cili raportoi se djali i tij ( emër i njohur për Sinjalin) kishte tentuar vetëvrasjen me litar pas presioneve psikike dhe financiare që po përjetonte nga persona të dyshuar për fajde.
Sipas kallëzimit, viktima kishte marrë 1 mijë e 300 euro borxh nga i dyshuari Arxhend Gashi, por marrëveshja kishte qenë që të kthente 2 mijë euro. Ndërkohë, ai dyshohet se kishte edhe një borxh tjetër prej rreth 10 mijë eurosh ndaj një personi tjetër.
Hetimet fillimisht janë zhvilluar nga njësia e hetimeve në Fushë Kosovë, ndërsa më pas rasti është marrë në trajtim nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.
Pas sigurimit të provave dhe dëshmive, hetuesit kanë arritur në dyshimet se Arxhend Gashi ishte i përfshirë në veprat penale “Fajdeja” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Sinjali mëson se i dyshuari është ndaluar dje në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku Policia ka ndërhyrë dhe e ka shoqëruar në Njësinë e Hetimeve në Prishtinë.
Pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Burimet konfirmojnë se hetimet po vazhdojnë intensivisht edhe për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë pjesë e kësaj skeme të fajdesë dhe bixhozit ilegal.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!