Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka siguruar aktvendimin e Apelit, ku thuhet se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.
“Mbi këtë gjendje të fakteve kolegji gjen se Gjykata Themelore në Prishtinë -Departamenti për Çështje Administrative, në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale, me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së, dhe se nuk është cenuar ligji në dëm të ankuesit, me rastin e aprovimit të propozimit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar. Meqë në këtë rast e paditura në ankesën e ushtruara nuk ka bërë të besueshme me asnjë provë pretendimet e saj. Sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e tij janë dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kjo gjykatë. Andaj, ankesa si e tillë refuzohet, ndërsa aktvendimi i ankimuar vërtetohet si i drejtë dhe i ligjshëm”, thuhet në vendimin e Apelit.
I gjithë procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.
Kështu, më 9 prill Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe këtë në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.
ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.
ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.
Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.
Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.