image Ekskluzive: Flet për herë të parë gruaja e Jetmir Aliajt, i cili u vra nga zyrtari policor në kazino në Suharekë

Ekskluzive

Ekskluzive: Flet për herë të parë gruaja e Jetmir Aliajt, i cili u vra nga zyrtari policor në kazino në Suharekë

news image

Jetmir Aliaj është vrarë më 17 mars në vitin 2019, në një kazino në Suharekë, me dashje dhe në mënyrë dinake nga ish-rreshteri policor në Suharekë, Shefki Spahiu, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-rreshterit Spahiu, në një prononcim ekskluziv për Gazetën Sinjali, ka folur A. Aliaj, bashkëshortja e të ndjerit, e cila ka shprehur dhimbjen e saj për humbjen e bashkëshortit dhe shpresën që Gjykata nesër të marrë vendimin e duhur.

Ajo kërkon që i dyshuari për vrasjen e burrit të saj të dënohet me burgim të përjetshëm dhe tha se po të ishte në dorën e saj, ajo do ta kishte ekzekutuar të dyshuarin.

“Jeni të vetmit deri më tani që më keni kontaktuar, prandaj unë, bashkëshortja e Jetmirit shpresoj që gjykata të marrë vendimin e duhur, padyshim kërkoj burgim të përjetshëm. Po të më dëgjonin mua do të kërkoja ekzekutimin e tij para të gjithëve”, ka thënë ajo.

Ky rast tragjik përveç që e ka shkatërruar atë, ajo thotë se “u ka ndalur diellin fëmijëve, të cilët çdo mbrëmje bien në gjumë me shpresën se babai i tyre kthehet në mëngjes”.

Ajo thotë se ky rast është edhe më i rëndë për të, pasi që është nënë e tre fëmijëve, të cilëve nuk ka se si t’ua shpjegojë se babanë e tyre nuk do ta shohin më.

“Ai se meriton asnjë minutë jetë sepse më ka shkatërruar jetën, ua ka ndalur fëmijëve diellin. Ata çdo mbrëmje bien në gjumë me shpresën se në mëngjes vjen babai i tyre. Vërtetë është shumë e rëndë për mua si nënë, nuk kam si t’ju them që babai i tyre nuk do të vie kurrë më”, ka thënë më tutje ajo.

Me dhimbje të thellë, ajo kërkon drejtësi për bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se ia mori jetën zyrtari policor, i cili do të duhej të punonte për sigurinë e tyre.

“E kush ua mori babain, ‘polici’, ai që ne e mendojmë se kemi siguri nga ta. Nuk kam fjalë ta shpreh atë që e ndjejë në shpirt. Dua drejtësi për bashkëshortin dhe babanë e fëmijëve të mi”, u shpreh mes tjerash ajo.

Ndërkaq nesër mbahet seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-rreshterit policor, Shefki Spahiu.

Më 31 maj të viti 2019, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë me të cilën polici Shefki Spahiu, akuzohet se më 17 mars të po atij viti në Suharekë, në një kazino, e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore ka privuar nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinosë.

Tutje në aktakuzë thuhet se Shefki Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Me këto veprime Shefki Spahiu akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Ndërsa sipas pikës së dytë të aktakuzës, ai akuzohet se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare. Me këto veprime Shefki Spahiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me Prova”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/