image Ekipi i xhudos në karantinë

Sporte Luftarake

Koronavirusi/ Ekipi i xhudos në karantinë

news image

Koronavirusi prej ditësh ka kapluar edhe vendin tonë, derisa me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që nga e premtja të gjitha aktivitetet sportive janë pezulluar.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e vendit të qëndrojnë në shtëpi, në mënyrë që të shmangin përhapjen e mëtutjeshme të koronavirusit.

Shkaku i këtyre masave, sot edhe ekipi Olimpik i xhudos ka hyrë në karantinë.

Trajneri Driton Kuka, që në ekipë ka pesë garues, të cilët ndodhen brenda normës Olimpike Tokio 2020, ka theksuar se ekipi është izoluar në sallën stërvitëse.

“Prej sot ekipi Olimpik është në karantinë, që do të thotë do të izolohet prej kontaktit me njerëz tjerë”, ka deklaruar Kuka për uebfaqen zyrtare të KOK-ut, www.noc-kosovo.org.

“Do të jenë krejt 10 persona, përfshirë sparing partnerët që do të qëndrojnë, ushqehen e stërvitin së bashku deri në një moment tjetër. Të gjithë do të jenë në karantinë tek salla ku stërvitim”, shtoi trajneri kampion Olimpik me Majlinda Kelmendin.

Shkaku i koronavirusit, Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF), ka pezulluar Grand Slamin e Ekateringut në Rusi, Grand Prixin e Tbilisit, Grand Prixin e Antalyas, gara këto që vlenin për pikë Olimpike, si dhe Kampionatin Evropian “Pragë 2020”, i cili tani pritet të mbahet në muajin qershor.

Driton Kuka mendon se edhe Lojërat Olimpike Tokio 2020, do të shtyhen.

“Lojërat Olimpike me siguri do të shtyhen. Normal, për ne do të ishte mirë të mbahen në kohë, meqenëse ne nuk kemi ndërprerje, por shumë shtete të fuqishme tashmë janë jashtë stërvitjeve dhe kjo flet shumë”, deklaroi Kuka.

Majlinda Kelmendi (-52 kg), Distria Krasniqi (-48 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Loriana Kuka (-78 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg), pritet të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Tokio 2020 me normë.

LO Tokio 2020 janë paraparë të mbahen prej 24 korrik – 9 gusht 2020 në Tokio të Japonisë.