image “Ej, mos um thirrni ma”/ Prokurori arrogant, stafi i Prokurorisë në grevë – Askush s’përgjigjet për 'fshehjen e audio-incizimit'

Drejtësi

“Ej, mos um thirrni ma”/ Prokurori arrogant, stafi i Prokurorisë në grevë – Askush s’përgjigjet për ‘fshehjen e audio-incizimit’

news image

Të hënën, Gazeta Sinjali ka pranuar një audio-incizim nga një qytetar i rajonit të Prizrenit (emër i njohur për redaksinë),  në të cilin është një bisedë ku disa persona bëjnë pazar për likuidimin e tij. I njëjti ka deklaruar për Sinjalin se rasti është raportuar që rreth 7 muaj në Polici por po fshehet. Lidhur me këtë rast, ai ka thënë se ka biseduar personalisht me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Mehdi Sefa.

Për t’i vërtetuar pretendimet e tij, Sinjali ka kontaktuar prokurorin Sefa. Në dy biseda që gazetarja ka pasur me prokurorin, përmes telefonit, i njëjti ka shfaqur sjellje arrogante dhe ka dhënë deklarata të ndryshme. Prokurori siç duket nuk e ka të qartë ende se a kanë filluar apo jo hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Në bisedën e parë Sefa ka deklaruar se rasti është duke u hetuar që disa muaj, ndërsa një ditë më pas ka thënë se nuk kanë filluar hetimet. Megjithatë, ai ka kërkuar që të mos telefonohet për këtë rast, derisa e ka mohuar se ka biseduar me qytetarin në fjalë.

“Nuk është e vërtetë që Policia nuk ka hetu këtë rast policia e departamentit të Krimit të Organizuar që tre muj ditë është duke e hetu, mos u bazoni në deklarata individuale. Që tre muj ditë, policia, ndoshta edhe më tepër është duke e hetuar këtë rast. Në qoftë se vjen puna për një kallëzim penal, ose aktvendim. Me palë biseda eksparte nuk boj.  Kalo mirë. E keni zyratrin për informim, ditën e mirë, ma mos um thirrni, tungat.”

Për të marrë informacione se kur kanë nisur hetimet, Sinjali ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, më 8 mars. Për shkak se PTHZ nuk ka kthyer përgjigje, të nesërmen është kontaktuar zyrtarja për informim, e cila ka deklaruar se janë në grevë. E njëjta ka shtuar se nuk ka marrë ende përgjigje nga prokurori.

Prokurorit i cili siç duket nuk e preferon fort të jap përgjigje nuk iu plotësua “kërkesa” që kishte për të mos e telefonuar. Sinjali ka kontaktuar sërish prokurorin Sefa. Këtë herë ai e mohon se kanë filluar hetimet, teksa thotë se “jemi duke ndërmarrë veprime hetimore”.

Ai madje refuzon të jap përgjigje se kur kanë filluar hetimet të cilat i përmendi një ditë më parë, derisa e luan pak rolin e gazetarit. Sefa pyet gazetaren me të cilën bisedonte se “A e dini kush është ai, a keni ju ide si gazetarë kush është ai”, duke aluduar në personin që ka denoncuar rastin.

“Rastet që i kemi në fazën e hetimeve, nuk mundemi me ju dhënë detaje. Ju duheni me ditë, ju tregova edhe dje lidhur me ata. Kështu që e kemi zyrën për informim. Unë s’po di cilat pyetje i keni parashtru. Unë e di që juve ju interesojnë shumë sene, por detajet e hetimeve tona nuk mundemi me i jep. Jemi në fazën e grumbullimit të provave. Rasti është në Polici, të departamentit për krim të organizuar, në Prishtinë. Ata janë duke u marrë me këtë rast edhe nuk është tash kjo, por ka qenë shumë ma herët, para 3-4 muajsh. A e dini ju kush është (), a keni ju ide si gazetarë kush është ai? A e dini ju kush është ai, a e dini kush është ai?”

Ndonëse pyetja iu kthye me pyetje, prokurori Sefa gjeti një mënyrë për t’u shmangur. Në mënyrë arrogante ai thotë që të mos shqetësohet për këtë rast, madje kërkon edhe një konfirmim se gazetarja e ka kuptuar kërkesën e tij.

“Nuk kanë fillu hetimet, jemi duke ndërmarrë veprime hetimore. Shikoni vetëm përmes zyrës për informim, edhe nëse ka mundësi ma tutje mos me shqetësu, as unë juve, as ju neve. A u kuptum, veç përmes zyrës për informim. Ej, kaloni mirë, kështu që hajde tung.”

Se a e konfirmon arroganca e tij pretendimin  qytetarit për fshehjen e rastit, ende nuk dihet. Pavarësisht qasjes së çdo zyrtari, Sinjali do ta ndjek këtë rast deri në fund dhe do të kërkojë informacione nga ata që janë të thirrur për ta bërë këtë.

/GazetaSinjali/