Kryeparlamentarja Vjosa Osmani i është bashkangjitur fushatës online me anë të së cilës po i kërkohet kompanisë “Apple” që ta vendos Kosovën në aplikacionin e saj “Apple Maps” me kufij të ndarë nga Serbia.
“E nderuar Apple, më 21 prill, ju lëshuat një deklaratë zyrtare për të informuar se shumë nga shërbimet tuaja më të dashura tashmë do të jenë të qasshme në 20 shtete më tepër, përfshirë Kosovën. Në mars, ju e bëtë Dua Lipën, super-yllin nga Kosova, imazh të listës A të popit në Apple Music”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Tutje Osmani ka thënë se aplikacionet e “Apple” janë zhvilluar në Kosovë, prandaj qartazi Kosova është pjesë e botës së kësaj kompanie.
“Shumë nga aplikacionet tuaja në App Store janë zhvilluar në Kosovë, me shumë tjera që do të zhvillohen pasi ju i bëtë shërbimet tuaja të qasshme këtu. Apple, Kosova është qartazi pjesë e botës tuaj, të sigurohemi që të kemi mundësi ta shohim atë edhe në hartën tuaj”. /Gazeta Sinjali