image Edhe Rohde i zhgënjyer për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit: Kjo s’është rruga për të ecur përpara

Drejtësi

Edhe Rohde i zhgënjyer për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit: Kjo s’është rruga për të ecur përpara

news image

Këshilli Prokurorial i Kosovës të mërkurën ka votuar për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn. Lidhur me këtë votim të KPK-së, janë shprehur të pakënaqur shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog si dhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Szunyog  përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se është i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, raporton Gazeta Sinjali.

Ai ka thënë në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, e që sipas tij KPK i ka shpërfillur këto parime.

“Me gjithë thirrjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillur këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”, është shprehur Szunyog, në një postim në Twitter.

E me këtë reagim të Szunyog është pajtuar edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Rohde ka thënë po ashtu përmes Twitter, se kjo nuk është rruga që çon përpara Kosovën.

 “Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga për të ecur përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, ka shkruar ambasadori Rohde.

Ndryshe, KPK ka votuar unanimisht për Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Isufaj nga KPK është propozuar për dekretim, tek presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

/GazetaSinjali/