image "Edhe ne jetojmë në Kosovë..."/ Rruga 13 kilometra që lidh 7 fshatra të Kamenicës që nga paslufta e paasfaltuar

Sinjalizime

“Edhe ne jetojmë në Kosovë…”/ Rruga 13 kilometra që lidh 7 fshatra të Kamenicës që nga paslufta e paasfaltuar

news image

Banorët e shtatë fshatrave të komunës së Kamenicës, Shipashnicë e Epërme, Vriqec, Lajçiq, Desivojcë, Sedllarë, Velegllavë dhe Tërstenë tash e 21 vite kanë një hall që sipas tyre, udhëheqja lokale dhe ajo qendrore nuk po ua zgjidhë dot, shkruan Gazeta Sinjali.

Rruga 13 kilometërshe që lidhë këto fshatra të kësaj komune që nga paslufta ende nuk është asfaltuar.

Sinjalizuesi i Gazetës Sinjali ka thënë se që nga paslufta e deri më sot secila qeveri u ka premtuar atyre asfaltimin e kësaj rruge, madje premtime kanë marrë edhe nga partitë politike, mirëpo sipas sinjalizuesit të gjitha ishin “premtime bosh”.

Sipas tij ata kanë dërguar kërkesa të vazhdueshme në institucionet përgjegjëse për asfaltimin e kësaj rruge.

“Kërkesa është bërë në të gjitha partitë politike që ishin në pushtet dhe prap nga të gjithë kemi marr vetëm premtime bosh”, tha sinjalizuesi për Sinjalin.

Tutje ky sinjalizues ka treguar se në këto fshatra jetojnë së paku 150 banorë dhe operojnë diku dhjetëra biznese familjare.

Sinjalizuesi ka treguar për Sinjalin se nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, atëherë banorët e këtyre fshatrave do të dalin në protestë brenda 10 ditësh.

Sipas sinjalizuesit protesta do të mbahet në rrugën “Crep” të Kamenicës ku do të bllokohet kufiri Kosovë-Serbi.

“Brenda 10 ditësh do dalim në protestë, ku dhe pretendohet të dalim në rrugën ‘Crep’ në Kamenicë ku do të ndalohet kalimi përmes kufirit Kosovë-Serbi. Nuk do të jetë protestë që ne pretendojmë të jemi arrogant, vetëm se e ne kemi qëllimin tonë të ju tregojmë politikanëve tonë se ne jemi me Kosovë dhe jetojmë në territorin e Kosovës”, shtoi ky sinjalizues për Sinjalin.

Sipas këtij sinjalizuesi në protestë po planifikojnë që të dalin me mjete të rënda, si traktor, kamion e ngarkues.

“Në protestë mendohet dhe planifikohet të dalim dhe me mjete të rënda; kamion, traktor, ngarkues”, tha sinjalizuesi.

Gazeta Sinjali u ka drejtuar pyetje komunës së Kamenicës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre. /Gazeta Sinjali/