Kryeministri Kurti ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike, por në objektin e Qeverisë nuk po ndalen dritat në orët e vona, ndonëse orari zyrtar është vetëm deri në orën 16:00, shkruan Gazeta Sinjali.
E në lidhje me këtë, ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se po punojnë edhe sot që të realizohen pagesat për vajzat dhe gratë përfituese të bursave STEM.
“Para Vitit të Ri do të realizohen pagesat për vajzat dhe gratë përfituese të bursave STEM, ashtu si dhe pagesat për mësimdhënësit, koordinatorët dhe redaktorët-lektorët që kanë qenë të angazhuar në procesin e projektit e-Mësimi, e të cilëve qeveria e kaluar nuk u kishte kryer obligimet për punët e realizuara sipas marrëveshjes”, ka shkruar Nagavci.
Nagavci ka deklaruar se me mbështetjen shtesë nga Qeveria e Kosovës me mbi katër milionë euro do të kryhen edhe pagesat për librat shkollor.
“Kursejmë energjinë elektrike e vazhdojmë me punë”, ka përfunduar Nagavci.