Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Sami Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje, ku tha se presidenti i vendit, Hashim Thaçi duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, në të kundërtën sipas tij do të ketë vëllavrasje në vend.
Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Lushtaku, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook ka thënë se kush luan me zjarr, do të digjet vet prej tij.
”Këto ditë, shumë anëtarë e mbështetës të LVV-së kanë bërë thirrje për dhunë e anarki, deri te vëllavrasja e lufta civile. Po habitem se si mbi 20 vjet pas çlirimit të vendit, njerëz që s’kanë dhënë asnjë kontribut për vendin, kanë guxim për të bërë thirrje të tilla. Këta që s’kanë guxuar që t’i dalin përballë armikut kur është kërkuar prej tyre, s’besoj që e kanë guximin që t’i dalin përballë shtetit dhe popullit të Kosovës. Kushdo që është aq i çmendur, do ta marrë përgjigjen që e meriton. Liria jonë është më e vlefshme se cilido individ dhe ata që mendojnë se do ta rrezikojnë popullin me nxitje për dhunë, le ta dinë se dhuna do t’i dënojë vet ata. Kush luan me zjarr, do të digjet vet prej tij”./GazetaSinjali/