Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për një takim, pas një propozimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt.
Përmes një letre të dërguar që Abdixhiku i ka nisur Osmanit, thuhet se kryeministri Albin Kurti ka qasje të papërgjegjshme në raport me aleatët, SHBA, BE e NATO.
“Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sipas pikëpamjeve tona, interesat e vendit tonë, përfshirë dhe ato të ruajtjes e të shtrirjes së sovranitetit të plotë në gjithë territorin e Kosovës, kanë gjasë vetëm nëse në krah kemi aleatët tanë, që popullin tonë e ndihmuan në rrugën e lirisë, pavarësinë dhe të demokracisë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se “Çfarë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon e pret në këtë kohë është pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të Kryeministrit, që ballafaqimin me aleat po e shndërron në kauzë të sjelljes së brendshme politike, me pasoja afatgjata për sovranitetin e vendit dhe për pozicionin tonë ndërkombëtar”.
“Në këtë ballafaqim, pozicioni i Presidentes është jetik; konform historisë sonë të lavdishme, konform zotimeve kushtetuese të pashkelshme, konform bindjeve të vet popullit të Kosovës. Fatkeqësisht, ne nuk e kemi parë ende këtë pozicionim nga ana juaj; dhe në rrethanat e tanishme Kosovës i duhet jo një zë i mesit, por një zë i qartë, që dërgon vetëm në një drejtim; atë euro-atlantik, në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, në ballafaqim të suksesshëm me qëllimet agresive të Serbisë”.