image E zë rryma një punëtor të ndërtimtarisë në Gjakovë

Siguri

E zë rryma një punëtor të ndërtimtarisë në Gjakovë

news image

Një punëtor i ndërtimtarisë është goditur nga rryma elektrike derisa ishte duke punuar në fshatin Qerim të Gjakovës, sot rreth orës 10:00, raporton Gazeta Sinjali.

Viktima, i cili është punëtor i kompanisë “Merturi”, ka pësuar lëndime në të dyja këmbët, për shkak të goditjes që ka marrë nga rryma elektrike.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i cili tha se punëtori ishte duke i bartur një palë shkallë të gjatë të aluminit, kur nga pakujdesia kishte hasur në telat e rrymës.

“Sot, më datë 27.10.2020 rreth orës 10:00, nga Emergjenca e spitalit rajonal , Stacioni policor – Gjakovë është njoftuar për rastin. Patrulla jonë menjëherë ka shkuar në atë lokacion dhe e ka kontaktua viktimën, i cili ka njoftuar se ai punon në firmën ndërtimore “Merturi” dhe sot duke punuar në një objekt në fshatin Qerim, derisa ka qenë duke i bartur një palë shkallë të gjata të aluminit, nga pakujdesia shkalla i kishte hasur në telat e rrymës, me atë rast e kishte goditur rryma duke ia lënduar dy këmbët”, tha ai.

Xhurkaj njoftoi se në vendin e ngjarjes ka dalë policia dhe inspektorati i punës.

Ndërkaq, sipas mjekut kujdestar, viktima është në gjendje të mirë shëndetësore, andaj është liruar për në shtëpi./Gazeta Sinjali/