Rastet e dhunës seksuale ku viktima janë vajzat e mitura, po rriten përditë e më shumë. Të dyshuarit shpesh herë përmes shantazhit detyrojnë minorenet që të kryejnë veprime kundër vullnetit të tyre e më pas të njëjtat i kërcënojnë në mënyrë që të mos denoncohen, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur në qytetin e Podujevës, ku një vajzë e mitur ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi u detyrua që disa herë të dalë me një djalë i cili e kërcënonte vazhdimisht.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e mitura ka deklaruar se që nga viti i kaluar, 21-vjeçari vazhdimisht e ka kërcënuar duke e detyruar që të dalë me të. E në takimet që kishin, i dyshuari e puthte dhe e prekte në pjesë intime të miturën pa dëshirën e saj.
Gjatë gjithë kësaj kohe, i riu fotografonte e filmonte aktet e tij të shëmtuara me vajzën e mitur, vetëm e vetëm që ta mbajë në grusht viktimën, duke e kërcënuar se nëse ndalon së daluri me të, pamjet do të shkojnë në adresën e babait të saj.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, ajo nuk ka kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarin. Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar edhe babai i të miturës.
Ndërkohë i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Dhunim’ dhe ‘Shtrëngim’.
Po ashtu, Prokurori ka urdhëruar që e mitura të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime mjekësore.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.