Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet. E në shumë raste burrat nuk i sulmojnë ato duarthatë, por edhe me mjete të forta, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në një familje në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Pejë, ku një burrë dyshohet se ka kanosur seriozisht bashkëshorten e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e moshuara ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se i shoqi ka tentuar që ta sulmojë atë me sëpatë. Si rrjedhojë, ajo nuk ndihet e sigurt që të vazhdojë bashkëjetesën me të.
I dyshuari është intervistuar në stacion policor dhe Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet ndaj tij për ‘Dhunë në familje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.