image E rrahën pastaj ia publikuan videon në rrjete sociale - Vazhdojnë rrëfimet e të afërmve të 15-vjeçarit që u rrah brutalisht

Skandaloze

E rrahën pastaj ia publikuan videon në rrjete sociale – Vazhdojnë rrëfimet e të afërmve të 15-vjeçarit që u rrah brutalisht

news image

Tre nxënës janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe dy prej tyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh për rrahjen e cila ka ndodhur në shkollën “Dardania” të premten. Të afërmit vazhdojnë të besojnë se 15-vjeçari që u rrah brutalisht po bullizohet nga adoleshentët vetëm pse mban syze e belbëzon, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali, pasditen e sotme ka siguruar edhe detaje të reja nga të afërmit e viktimës që shihet tek rrahet, në një video madje edhe në rrjete sociale.

Organet e rendit janë duke punuar për identifikimin edhe të nxënësve të tjerë të cilët janë të përfshirë në rrahje. Para se të arrestoheshin, Sinjali ka kuptuar se njëri nga nxënësit kishte postuar videon e rrahjes në Instagram ku glorifikohej dhuna e cila ushtrohej ndaj të miturit A.H.

Gazeta Sinjali publikoi dje pamjet e një rrahjeje brutale që ka ndodhur në oborrin e shkollës “Dardania” në Prishtinë, gjatë ditës së premtes, ku shihet se një i mitur është grushtuar e shkelmuar nga disa nxënës.

Kurse ata të cilët kanë informacione për këtë ngjarje deklarojnë se institucionet kanë dështuar në parandalimin e dhunës dhe se në këtë rast kanë dështuar shumë hallka të shtetit.

Familjarët kërkojnë ndihmë – “A.H. pre e bullizmit”

Persona të cilët janë të afërt me familjen e njërit prej nxënësve të arrestuar, që ishte edhe viktima, (të njohur për redaksinë) deklarojnë se hetimet duhet të zgjerohen për të parë edhe përgjegjësinë e institucioneve në këtë rast. 

Sipas tyre, A.H i cili shihet duke u grushtuar nga nxënësit e tjerë, është viktimë e bullizmit online që ka kulmuar edhe me sulm fizik. Ata thonë se A.H ishte keqtrajtuar fizikisht disa herë por në përleshjen e fundit ai e kishte mbrojtur veten.

“Viktima, djali me syze A.H ka qenë në testin e semimaturës në shkollën “Dardania” dhe ai grupi i Hajvalisë ka ardhë dhe e ka prit jashtë. A.H i ka parë që janë duke e prit jashtë dhe ka kërkuar ndihmë nga punëtorët teknikë të shkollës për me iu shmang rrahjes, domethënë me dal nga shkolla nga një dalje tjetër. Mirëpo punëtorët teknikë nuk kanë pranuar dhe e kanë qit jashtë ku grupi po e priste. Dhe aty e kanë rrahur siç shihet edhe në video. Shkolla nuk i ka ofruar ndihmë dhe as nuk e ka lajmëruar policinë. Më pastaj djali A.H ka ik dhe ka shkuar në shkollën “Hasan Prishtina” ku edhe ka vijuar mësimet. Ata janë organizuar, domethënë ai grupi i nxënësve dhe kanë shkuar edhe atje e kanë sulmuar prapë dhe aty është vetëmbrojt dhe dikush prej sulmuesve është lënduar”, tha në kushte anonimiteti për Sinjalin një e afërm e familjes së tij.

Sipas saj, A.H ishte viktimë e bullizmit online që ka zgjatur me muaj duke i shkaktuar dhimbje shpirtërore.

Vetëm pse belbëzon dhe ka syze dhe është i dobët ka qenë cak i këtyre adoleshentëve. Kurse nga informacionet që i kemi njëri nga sulmuesit i cili ka mbetur i lënduar në këtë rrahje dhe i cili ka qëndruar në spital nga aty e ka shfrytëzuar telefonin dhe ka futur në Instagram  një video ku shihet duke e qëlluar viktimën. Përkundër që ka pasur policë duke e ruajtur ai e ka shfrytëzuar momentin dhe ka futur videon në internet pastaj e ka fshirë”, ka thënë tutje.

Sinjali gjatë së shtunës publikoi edhe deklaratat e nënës së viktimës. Edhe ajo ka rrëfyer ekskluzivisht për Gazetën Sinjali ngjarjen që ndodhi të premten e të gjitha përjetimet e djalit të saj, për të cilin thotë se ka qenë dhe vazhdon të jetë pre e bullizmit.

Lidhur me këtë rrahje, ka reaguar edhe Avokati i Popullit, që e ka konsideruar të “patolerueshme”.

Po ashtu, dje Sinjali ka mësuar se të miturit i është shqiptuar masa e paraburgimit.

  /Gazeta Sinjali/