Dje në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, janë ndezur qirinj në nderim të 8 nxënësve dhe rojës së një shkolle në Beograd që u vranë ditëve të fundit me armë zjarri nga një i mitur, i cili edhe u arrestua, raporton Gazeta Sinjali.
Ky aktivitet i mbajtur në shenjë solidarizimi me familjarët e viktimave në Beograd, ku morën pjesë edhe figura politike, ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë si rrjedhojë e çështjeve politike dhe përjetimeve të rënda nga lufta e fundit e vendit.
Aktiviteti nga disa edhe u mirëprit, por në masë të madhe u kritikua. Një kritikë erdhi edhe para pak çastesh nga Esat Shala, njeriu që që nga viti 2005, në mënyrë vullnetare merret me mbledhjen e provave vizuale të masakrave dhe krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe.
Ai në reagimin e tij i ka bërë thirrje politikanëve t’i shikojnë pamjet që ai i posedon ku shihen fëmijë të masakruar gjatë luftës nga shteti serb.
“A u ndez naj qiri për këta fëmijë të masakruar”, pyeti ai.